Autobusi

Jo autobusi i Kadri Veselit, por i Kryeministrit të tanishëm të Mbretërisë së Bashkuar Boris Xhonson.

Se çka është puna e autobusit as une nuk e kam ditë derisa nuk kam hasë në një cicërim (tweet) të një cicëruesi anglez:

“Within the space of an hour. This didn’t happen by luck.”

Çka po ndodhë këtu? Para disa ditëve Boris Xhonson u akuzua për një afere seksuale me një modele amerikane (e cila tani është “ndërmarrëse” në sektorin teknologjik) të cilën e demantoi shumë shpejt. Lidhur me këtë lajm raportuan shumë portale përgjatë kësaj kohe të cilat raporte pastaj përfunduan nëpër motorët e kërkimit si Google, Bing ose DuckDuckGo. Mjaftonte t'a bësh një kërkim të thjeshtë ne Google “boris johnson model” dhe faqja mbushej me rezultatet e artikujve që raportonin për aferën e tij.

Nuk vonoi shumë dhe Xhonsoni gjatë një interviste dhënë BBC-së deklaroi se ishte një “model”, jo i veshjeve “haute couture” por i “vetëpërmbajtjes” duke iu referuar debateve të ashpra në Dhomën e Ultë të Parlamentit Britanez lidhur me fatin e Brexit-it. Pas kësaj deklarate shumica e portaleve lansuan artikuj me tituj të tipit “Kryeministri Xhonson thot se është një 'model i vetëpërmbajtjes'”, këta artikuj si zakonisht pastaj përfundojnë nëpër rezultatet e motorëve të kërkimit.

Mirëpo tani kërkimi i të së njëtës frazë “boris johnson model” prodhonte rezultate të ndryshme, kësaj here rezultatet e lajmeve ishin ato të cilan kishin të bënin me intervistën e tij dhënë BBC-së. Kështu lajmet e lidhura me aferën e tij mbetën dytësore e në disa raste u mbuluan tërësisht.

Erdhëm te autobusi

Gjatë kampanjës “Vote Leave” e cila i parapriu referendumit për Brexit, Boris Xhonson shetitej nëpër vend me një autobus në të cilin ishte shkruar parolla

We send the EU £350m a week let's fund our NHS instead.

Nëpërmjet një parolle të tillë synohej të fitohej përkrahja e asaj pjese të popullatës e cila ishte e ndjeshme në temën e shërbimeve publike shëndetësore duke pretenduar se ato mjete që shkojnë në Bruksel është më mirë të mbesin në Britani dhe të përdoren për qëllime vetanake.

Natyrisht pretendimi se 350 milionë funta në javë shkojnë në buxhetin e Bashkimit Evropian është budallallëk ne veti, mirëpo pasi që politika nuk zgjedh mjete atëhere neve spektatorëve na mbetet që t'a mbyllim gojën dhe të konzumojmë çkado që na ofrohet.

Brexit-i u bë realitet, mirëpo 350 milionë funtat e premtuara nuk u bënë realitet. Dhe kushdo që dëshironte t'i shihte pretendimin e Xhonsonit para referendumit lidhur me NHS mjaftonte t'a bënte një kërkim “boris johnson bus”.

Derisa Xhonsoni nuk e dha një intervistë bajagi të çuditshme në të cilën pas pyetjes “Si relaksoheni?” së gazetarit të The Guardian talkRADIO u përgjigj se “në kohë të lirë për t'u relaksuar ndërton modele të autobusëve”. Nga mënyra se si u përgjigj shihej se po sajon fjali fluturimthi (on the fly) dhe se as vet nuk i beson asaj çka po thotë.

Pas kësaj interviste është shumë lehtë të supozohet se çfarë do të jetë rezultati i kërkimit “boris johnson bus”.

Tash kjo na tregon dy gjëra (ndoshta tre):

  1. Boris Xhonson nuk është budallë
  2. Për t'i manipuluar motorët e kërkimit nuk duhesh të jesh SEO ekspert me prapavijë në Teknlogji Informative
  3. Boris Xhonson ka këshilltarë të mirë? 🤔